Më shumë turistë në qershor, INSTAT: Mbi 1.3 milionë vizitorë, rritje me 7 për qind

Mbi 1.3 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në vend vetëm gjatë qershorit, duke u rritur me mbi 7% në raport më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, për pjesën e parë të vitit sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka pritur mbi 4.7 milionë turistë të huaj, një rritje me gati 4.8% se kundrejt periudhës janar-qershor të vitit të shkuar. Vizitorët nga Europa mbajnë edhe peshën kryesore me numrin më të lartë të hyrjeve në vend, teksa vërehet edhe një rritje e turistëve nga Amerika, Azia Lindore e Jugore si dhe turistëve nga Lindja e Mesme.

Paralelisht, statistikat e INSTAT tregojnë edhe një rritje të shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit gjatë qershorit. Muajin e kaluar, daljet e Shqiptarëve jashtë kryesisht për pushime arritën në mbi 710 mijë, mbi 10% më shumë se qershori i vitit të kaluar.

Parashikimet janë që Shqipëria të presë mbi 12 milionë vizitorë të huaj përgjatë këtij viti. Vendi vijon të promovohet edhe nga mediat ndërkombëtare si një nga destinacionet më të mira për pushime, jo vetëm për bregdetin por edhe bukuritë e tjera natyrore. Kjo ka bërë që turizmi gradualisht të shtrihet përtej sezonit veror.

Të Fundit