SPAK ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili thoshte se e kanë shpallur fajtor ende pa nisur gjykimi, duke shtuar se në faqen e parë të dosjes hetimore prokurori kishte shënuar se ai ishte i dënuar, por që më pas gjatë seancës gjyqësore të së të mërkurës, Dado ka pranuar se ishte një lapsus.
Prokuroria e Posaçme ka sqaruar se në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë drejtuar GJKKO-së për Veliajn, SPAK në asnjë moment nuk i është refuar gjendjes së tij gjyqësore.
“Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar”.
Në lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar.
Me shkresën nr. 2215/1 datë 12.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore ka sqaruar mes të tjerave se çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie.
Në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim E.V, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale”, thotë SPAK.
Në reagimin e ditës së djeshme, Veliaj e ka cilësuar paçavure dosjen e prokurorit Dado, teksa ka thënë se do të publikojë në vijim të tjera gabime trashanike të kurdisura kundër tij për ta shpallur fajtor pa nisur ende procesi i gjykimit.