Mark Molla, ish-administratori i Ujësjellësit të Shkodrës, ka dëshmuar këtë të enjte në GJKKO, në procesin që zhvillohet ndaj ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia.
Molla ka deklaruar se në vitin 2022 është njoftuar për largimin e tij nga detyra e administratorit të Ujësjellësit me anë të postës. Ai iu drejtua gjykatës dhe kjo e fundit nuk e njohu vendimin për shkarkimin nga detyra.
Megjithatë, sipas kallëzuesit, ish-kryebashkiaku lëshoi një urdhër të dytë për largimin e tij nga detyra.
“Në vitin 2022 kam qenë administrator i Ujësjellësit Shkodër. Në maj të atij viti jam njohur me një urdhër largimi, që ka ardhur me postë. Unë i jam drejtuar gjykatës. Gjykata nuk e ka njohur si vendim. Spahia ka bërë një tjetër urdhër largimi. Edhe atë e padita në gjykatë, e cila po ashtu nuk e njohu vendimin e kryebashkiakut. Ndërkohë, pas vendimit të tretë të largimit, erdhi një person nga Bashkia dhe më kërkoi të liroja zyrën. I thashë që do ta liroja vetëm nëse më thoshte gjykata. Atë ditë shkova në Postribë për çështje pune. Ndërkohë, godina e Ujësjellësit u rrethua nga policia dhe policia bashkiake”, ka dëshmuar Molla në gjykatë.
“Unë merakun tim e kam pas me shku Bardhi kryetar bashkie dhe filloi luftën jo me burrni, por e vazhdoi me metodat e tij të ngjashme komuniste. Doja ta shikoja ballë për ballë. Un mendoj se asambleja ka pasur dijeni për largimin tim. Gjatë vitit 2022 nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët. Edhe në lidhje me klorin asnjë problematike. Në lidhje me proceset gjyqësore vijon vetëm dëmi ekonomik dhe nuk heq dorë. Edhe sot po shpif në media. Procese te tjera që lidhen me punën nuk kam hap akoma”, tha Molla.
Spahia është denoncuar në SPAK nga ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër, Marko Molla, të cilin ish-kryebashkiaku e shkarkoi në vitin 2022.
Në prill të këtij viti (2025), ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, u mor i pandehur nga GJKKO për dyshimet se ka penguar zbatimin e një vendimi gjyqësor në kohën kur ishte në detyrë. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe e mori të pandehur atë, ndërsa Spahia mohoi akuzat. Për mediat ai tha se kallëzimi ndaj tij ishte porosi politike dhe po përdoret në kohë fushate.
Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku, në atë kohë në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër, ka liruar nga puna administratorin e Ujësjellësit. Ky i fundit fitoi të drejtën e rikthimit me vendim gjykate, por Spahia e shkarkoi sërish 7 ditë më vonë.