“Me Serbinë, ndeshje jo normale”, Sylvinho: 27 lojtarët e përzgjedhur janë më të mirët në qarkullim

Në ditën kur publikoi listën me 27 lojtarë që do të jenë të gatshëm për dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit kundër Serbisë dhe Letonisë, më 7 dhe 10 qershor, trajneri Silvinjo doli para mediave për të shpjeguar këto zgjedhje, por edhe për të ndarë me opinionin sportiv impresionet përpara këtyre sfidave, veçanërisht atë ndaj Serbisë, të cilën Silvinjo pranoi se nuk është një ndeshje e zakonshme.

“Serbia nuk është një ndeshje normale, e di, e njoh historinë. Por ne duhet të përqendrohemi te loja, duhet të bëjmë mirë, të jemi skuadër lufte, zemre e shpirti, të mos humbim identitetin. Jam dakord që është një ndeshje që duhet përgatitur mirë, e vështirë, por ne kemi shanset tona. Është një ndeshje speciale. Por të mos harrojmë që shkojmë në fushë dhe aty është sport. E kam parë atë që ka ndodhur vite më përpara dhe nuk shqetësohem, sepse do t’i përgatisim lojtarët për të luajtur futboll 90 minuta dhe aty do të bëhet diferenca”, tha Silvinjo.

Silvinjo thotë se i ka studiuar mirë rivalët e radhës, veçanërisht Serbinë, duke evidentuar edhe pikat e tyre të forta.

“Janë skuadra të forta të dyja, kanë edhe shumë centimetra, lojtarë shumë të gjatë, fizikisht të fortë. Do të duhet të harxhojmë shumë energji me ata, por ne do të punojmë mbi mundësitë tona, do ta përgatisim ndeshjen mjaftueshëm mirë. Çdo ndeshje zgjat 90 minuta dhe çdo gjë mund të ndodhë brenda asaj kohe.”

Këmbënguljes sonë mbi të qenit shumë fanatik në listën e lojtarëve që grumbullon, pa afruar shumë emra të rinj prej muajsh, Silvinjo iu përgjigj se 27 lojtarët që ka përzgjedhur janë më të mirët aktualisht në qarkullim.

Në fund, edhe një batutë për Kristjan Asllanin dhe finalen e Ligës së Kampionëve, që sipas tij është më e bukura në botë…

Për duelet e qershorit mungojnë surprizat në listë. Janë të njëjtët emra që përballuan Anglinë dhe Andorrën në muajin mars. Konfirmohet në mesfushë Jualian Shehu, ndërsa në sulm mbështetemi te Broja, Manaj, Uzuni dhe Daku.

Të Fundit