“Më parë e vras Albin Kurtin sesa iki nga Kosova”, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj dy personave për kanosje

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe një personi tjetër N.S. për veprën penale “Kanosja” ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.

“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri Klinaku, me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social “Facebook”, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje prokuroria speciale thotë se pas reagimeve lidhur me kërcënimin, Klinaku e ka përsëritur postimin me përmbajtje kërcënuese.

“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”, thuhej në postim.

“Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin A.K përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, për shkak të funksionit të tij, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri Klinaku”, sqaroj prokuroria.

Vetë Faton Klinaku që ka ushtruar më parë pozitën e drejtuesit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij.

“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A.K, të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, ka shkruar Klinaku në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Të Fundit