Me not nga Italia në Shqipëri, Eva Buzo merr certifikatën “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”

Eva Buzo, sportistja me origjinë shqiptare, me profesion avokate sot është pritur nga kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, ku i është dorëzuar certifikata “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”.

Po ashtu në ambientet e bashkisë ka qenë dhe presidenti i shoqatës së notit Agim Çiraku, ku i është dorëzuar dhe kupa nga shoqata Shqiptare e Notit “Mirënjohje për Eva Buzon”.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha ka falenderuar Eva Buzon për atë që ajo ka arritur duke vendosur një rekord absolut duke lidhur dy brigjet Itali – Shqipëri me not.

“Po ashtu jemi shumë krenar dhe ne”, shprehet Dredha, “që kemi qenë pjesë e këtij udhëtimi duke dhënë asistencën tonë, por dhe duke promovuar vlerat që ka qyteti i Vlorës. Gjithashtu ka falenderuar dhe shoqëruesit e Evës përgjatë gjithë udhëtimit, që nga Baçi dhe Viktori, peshkatarët që i kanë qëndruar pranë. Po ashtu shkëmbi ku Eva preku në Karaburun do të pagëzohet “shkëmbi Eva”.

Ndërkohë, mes emocioneve, Eva është shprehur se i shpreh mirënjohje Bashkisë së Vlorës.

“Sot dua të flas me zërin e gjithë vajzave që merren me sport. Kam kujtime të fëmijërisë kur gjyshi im vinte në çdo aktivitet sportiv, ku unë merrja pjesë dhe plot krenari i tregoja medaljet që merrja që fëmijë. Pikërisht këto medalje më rritën kofidencën, jo vetëm në fushën e sportit, por dhe atë profesionale. Arritjet e mia sot janë rezultat i punës së madhe që kam bërë që në moshë të herët me veten. Sot jam një femër e fortë, që pëlqej sfidat dhe u them të gjithë femrave ‘forconi konfidencën, rrisni besimin dhe pranoni sfidat’”, u shpreh Buzo.

Të Fundit