Është dënuar me 25 vite burg Isuf Hasa, i cili vrau me çekiç fqinjin e tij, 81-vjeçarin Xhemal Meta, teksa i vodhi të moshuarit paratë që i kishin mbetur në xhep.
Sipas Gjykatës së Tiranës, vuajtja e këtij dënimi të fillojë nga dita e ndalimit të tij datë 15.01.2025 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 janar të vitit 2025, ku Xhemal Meta u gjet i pajetë në banesën e tij nga një tjetër fqinj i tiji.
Asokohe, Isuf Hasa ka pranuar krimin, ndërsa ka treguar se shkak ka qenë, pasi sipas tij, se viktima i ngacmonte gruan.
64-vjeçari tha se fillimisht kanë pirë kafe në shtëpinë e 81-vjeçarit, më pas do të shkonin në lokalin e fshatit, por sapo kanë dalë ai tregon se ka parë një çekiç në oborrin e shtëpisë, të cilin e ka marrë dhe e ka qëlluar.
Më pas ai thotë se pasi ka kryer krimin, i ka marrë edhe leket dhe ka shkuar tek shtëpia e vajzës në Vorë, ku edhe fshehu çekiçin.
“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan.
Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin”, ka treguar Isuf Hasa.
NGJARJA
Xhemal Meta, 81 vjeç, doli nga banesa e tij në Zall-Bastar edhe ditën e hënë, si çdo ditë të pinte kafe në lokalin e lagjes. Por, pak orë më vonë u gjend pa shenja jete në oborrin e banesës së tij.
Pjesëtarët e familjes dyshuan se mos ishte rrëzuar dhe kishte rënë pas koke në ndonjë gur. Ngjarja u la si aksidentale, por në momentin që trupi u dorëzua në morgun e Tiranës, mjeku ligjor konstatoi se në pjesën e pasme të kokës, plaga nuk ishte aksidentale, por e shkaktuar nga një mjet i fortë. Policia heshti për dy ditë duke bërë të mundur shoqërimin e dhjetëra personave në zonë.
Familjarët e viktimës kanë dhënë disa detaje interesante për policinë, duke fiksuar faktin se i moshuari mbante para me vete, gjë që në fakt ka rezultuar e vërtetë. Nga kontrolli fizik që i është bërë viktimës është konstatuar se ai nuk kishte asnjë para me vete, madje as portofolin, çka e ka shtyrë grupin hetimor të dyshojë se i moshuari të jetë vrarë për t‘i marrë paratë.
Pas një sërë hetimesh intensive, ku u përdoren edhe metoda speciale, policia ka ndërhyrë duke kryer edhe kontrolle banesash dhe rezultoi se Isuf Hasa, fqinji i tij, edhe ai moshë e madhe, 64 vjeç, thotë policia, të kishte fshehur në çorape shumën prej 200 mijë lekësh, shumë që dyshohet se ia kishte marrë viktimës pasi e kishte goditur me çekiç.
Njoftimi i Gjykatës së Tiranës, 7 janar 2026
Referuar interesit të shfaqur nga disa gazetarë, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit I.H.,
Gjykata, pasi shqyrtoi rrethanat e çështjes, si dhe çmoi e vlerësoi në tërësi provat e administruara në seancë gjyqësore, duke ia nënshtruar ato rregullave të gjykimit si dhe dëgjoi në fazën e diskutimeve përfundimtare palët si vijon:
Gjykata, në bazë të nenit 141 të Kodit Penal dhe nenet 383, 384, 406 të Kodit të Procedurës Penale;
VENDOSI:
Deklarimin fajtor të të pandehuri I. H. për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me pasojë vdekjen” të parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni, dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
Vuajtja e këtij dënimi të fillojë nga dita e ndalimit të tij dt. 15.01.2025 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Sendet e sekuestruara me procesverbalet për sekuestrimin e sendeve dt. 15.01.2025, kartëmonedhat, t’i kthehen pronarit të ligjshëm, ndërsa 1 . me ., me ., të kalojë në favor të shtetit
Shpenzimet procedurale të kryera në fazën e hetimeve paraprake dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit, ndërsa shpenzimet për mbrojtësen e caktuar kryesisht, të paguhen nga shteti.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të tij.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 10.12.2025.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.




