Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi bëri kallëzim të rremë se i kishin vjedhur pranë një hoteli një automjet tip “Audi” të cilin ai e kishte marrë me qera në Gjermani.
Në pranga përfundoi dhe personi që 39-vjeçari i kishte dhënë automjetin, si dhe u shpall në kërkim një 20-vjeçar në banesën e të cilit në fshatin Prush u gjet i fshehur automjeti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
“Shtetasi Y. E., ka marrë me qira një automjet tip “Audi”, në Gjermani, të cilin e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ja kanë vjedhur në afërsit të një hoteli në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, ja ka dhënë automjetin shtetasit E. K., dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.
Gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, u gjet i parkuar automjeti tip “Audi”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit J. H., i cili kishte fshehur automjetin në oborrin e banesës së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.