Kryeministri Edi Rama në konferencë për mediat tha se kundërshtarët politikë e kanë bërë kriminel, duke thënë se asnjëherë nuk ka kryer ndonjë krim në jetë.
Rama deklaroi se paratë nuk kanë qenë kurrë tundim për të. Ai tha se shtëpinë e ka ndërtuar me paratë e tij e të bashkëshortes.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës, që siç tha ai e kanë quajtur dhunues, homoseksual dhe kriminel.
“Kush më njeh – tha Rama – e di që paraja nuk ka qenë asnjëherë një tundim i madh për mua”.
“Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar gruan time se djalin tim e kishte me babain tim.
Jo, divorci im, qysh në fillim të viteve ‘90 s’ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë pretendim të ndërsjellë. Përkundrazi, ka qenë tërësisht paqësor.
Ndërsa po, siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe, për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë, që qoftë edhe thjesht për ta imagjinuar, duhet të jesh egërsirë, jo njeri; lëre pastaj të jesh udhëheqës i popullit.
Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë.
Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve.
Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time.
E shkreta nëna ime, Aneta, u sulmua nga foltorja e parlamentit, deri nga foltorja e parlamentit, ku katrani me bojë e akuzoi se po cënonte interesin publik, duke mos më denoncuar, ajo mua, si dhunues të sajin dhe duke i lënë kësisoj shqiptarët, të votonin qorrazi për një kriminel që dhunon edhe gra.
Nëna ime e ndjerë, u ndje aq e lënduar sa e çoi edhe në gjyq, katranin e madh“, tha Rama.
Një përgjigje kishte edhe për ata që e kanë akuzuar se jeton në saraje: “Më kanë bërë me saraje dhe ç’nuk kanë fantazuar, thënë e shkruar, për si është ndërtuar, e me çfarë lekësh është ndërtuar shtëpia jonë.
Jo, ajo shtëpi nuk ka lidhje as me sarajet, as me favore ndërtuesish apo lekë me burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë e grua.
Gati çerek shekulli akuza pa asnjë çerek prove, ku më kanë bërë si veten; politikan që marr pjesën nga firmat që hedh, duke futur duart në buxhetin e shtetit dhe në xhepat e sipërmarrësve që ndërtojnë kulla apo partneritete me qeverinë”.- tha Rama.