Një mësuese 57-vjeçare u dërgua në spital në Bergamo në gjendje të rëndë këtë mëngjes, pasi dyshohet se u sulmua me thikë nga një nxënës 13-vjeçar jashtë një shkolle fillore në Treskore Balneario.
Gjendja e saj është e rëndë, por jeta e saj nuk është në rrezik, tha Ansa. Sulmi ndodhi në korridorin e katit të parë, përpara klasës. Sipas karabinierëve, nxënësi i klasës së tetë u arrestua menjëherë dhe incidenti u vlerësua si një rast i izoluar që nuk ka lidhje me terrorizmin.
Mësuesja e plagosur u transportua me urgjencë me helikopter në një spital në Bergamo, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Hetuesit thonë se djali e ka therur mësuesen në qafë dhe në stomak. Në kohën e sulmit, ai mbante veshur pantallona kamuflazh dhe një bluzë me mbishkrimin “vendetta” (hakmarrje) ndërsa në çantën e shpinës kishte një pistoletë të zbrazët.
Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, e vlerësoi se ishte një “ngjarje tronditëse serioze” dhe shprehu mbështetjen e tij për mësuesen, familjen e saj dhe shkollën.
Ai deklaroi se incidenti tregon nevojën për miratimin e shpejtë të rregulloreve të reja për të luftuar krimin tek të miturit dhe përhapjen e armëve të paligjshme midis të rinjve, së bashku me forcimin e mbështetjes psikologjike në shkolla.
Valditara shtoi se do të flasë për këtë çështje edhe në Paris, në aktivitetin me rastin e prezantimit të Raportit GEM për vitin 2026 mbi monitorimin global të arsimit.
Presidenti i shoqatës së drejtorëve të shkollave “DirigentiScuola”, Attilio Fratta, paralajmëroi se dhuna në shkolla po rritet dhe ngriti çështjen e përgjegjësisë së familjeve.




