Një 41-vjeccar që po udhëtonte nga Shqipëria për në Greqi është ndaluar nga policia kufitare në Kakavijë. Ndalimi i tij u bë në vijën e dytë të kontrollit pas dyshimeve se në makinën e tij “Toyota” mund të kishte sende të jashtëligjshme.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në valixhen e tij, 50.000 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar.
Nga hetimet e deritanishme të Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë Gjirokastër, shtetasi I. Sh. 41 vjeç nuk ka qenë në gjendje të justifikojë burimin e këtyre parave.
Për këtë arsye 41-vjeccari është proceduar penalisht për veprat penale “Mos deklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.