Mbyllja e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, Kushi: Shkelën legjislacionin në fuqi

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”.

Në një status në rrjetin social “Facebook”, Kushi sqaron opinionin publik dhe thotë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

Sipas saj kjo shkollë ka nisur procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës. Po ashtu theksohet se ky kolegj nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre. Më tej Kushi shton se në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

“SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK

Nisur nga interesimi dhe spekullimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

1.Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.
2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.
Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.
Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillim viti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike”-shkruan Kushi.

Të Fundit