Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me mbylljen e kolegjit turk në Tiranë për të cilin shprehet se qëllimi i vetëm është zbatimi i barabartë i ligjit.
Ai shkruan se të shesësh godinën dhe ta hapësh atë dikur tjetër pa plotësuar kriteret është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e licencës.
Duke komentuar protestën e vetë studentëve, Rama thotë se përdorimi i tyre për të fshehur fajin karshi ligjit tregon ndërgjegje të ulët.
Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë. Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës. Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi.