Kreu i PD-së, Sali Berisha ka folur nga podiumi ku u organizua protesta e sotme nga opozita. Në fjalën e tij Berisha vuri në dukje faktin që në seancë plenare u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut me 82 vota kundër dhe 47 pro.
Berisha paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë, teksa njoftoi se ajo e radhës do të jetë më datë 22 mars.
Fjala e plotë e tij:
Sot Edi Rama shënoi vetëvrasjen e tij politike, fundin e tij politik, firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë më të gjitha mjetet nga pushteti i tij krimit. Sot ai nuk votoi për Ballukun, votoi për veten e tij.
Theksoj se është puna juaj, qëndresa juaj, protesta juaj që bëri që sot ai të dalë para shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar.
Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të shqiptarëve kundër tij. Është kushtrim i plotë, të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore deri në largimin e tij nga pushteti.
Kjo që ndodhi sot është apel për ndërgjegjien e çdo shqiptari që e di këtë vend, të bashkohet për të larguar qeveritarin Edi Rama.
Le të vazhdojmë këtë betejë. Rama mendon se mbylli dosjen e tij duke votuar kundër heqjes së imunitetit, por dosja e tij nuk mbyllet kurrë. Do ta ketë si gur varri. Do fitojmë, do rikthejmë shpresën e madhe Shqipërisë. Iu falënderoj për ardhjen tuaj sot”, përfundoi Berisha.



