Mbyllet faqja që bullizonte nxënësit në Korçë dhe i shantazhonte me video intime

Për tre ditë rrjesht, adoleshentët e Korçës u terrorizuan nga një faqe Instagrami, e cila bullizonte, denigronte dhe publikonte materiale intime të tyre.

Pas denoncimit të bërë nga një oficer sigurie në një prej gjimnazeve të Korçës, Sektori Kundër Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet për rastin dhe identifikimin e administratorëve të faqes.

Nën objektivin e sulmit të administratorëve anonimë të faqes, e cila që në emër ishte denigruese, ishin vendosur nxënës të shkollave të mesme, por edhe të shkollave 9-vjeçare të qytetit.

Disa nga adoleshentët e moshës 14-18 vjeç, të cilët u bënë objekt i sulmit, tregojnë se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike është hapur dhe mbyllur.

Sipas tyre, ndryshe nga herët e tjera, tani përveç postimeve me emra dhe mbiemra me përmbajtje denigruese, ka patur edhe video dhe foto me përmbajtje intime.

Denoncimi i rastit ka angazhuar strukturat e policisë së Korçës, prokurorisë dhe sektorit të Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Ndërsa faqja tani është mbyllur, po vijojnë hetimet intensive për të identifikuar administratorët e faqes dhe persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e këtyre materialeve.

Të Fundit