Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të martë në Unazën e Madhe të Tiranës, ku një kamioni të ngarkuar me inerte i është hapur pjesa e remorkios dhe gurët kanë rënë në rrugë, duke krijuar rrezik për qarkullimin.
Në njoftimin e saj, policia bën me dije se drejtuesi i kamionit, shtetasi A. N., 41 vjeç, banues në Krujë, është proceduar penalisht dhe administrativisht.
Policia thekson se shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në Mjull Bathore kamionin tip “IVECO”, duke qarkulluar me ngarkesë të pasiguruar.
“Nga verifikimet rezultoi se mjeti kishte karakteristika ndërtimore dhe funksionale të ndryshuara në kundërshtim me normat teknike dhe ligjore. Gjatë lëvizjes, pjesët e ngarkesës ranë në rrugë, duke mbushur segmentin e Unazës së Madhe me gurë”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht nga drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, për të parandaluar aksidentet.




