Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në selinë e PS ku ka nisur mbledhja e deputëve të Tiranës. Pjesë e takimit janë edhe ish-deputetët që janë angazhuar për zgjedhjet që ishin planifikuar në kryeqytet, tashmë të anuluara.
Mbledhja është njoftuar për në orën 19:00 kur edhe Rama është paraqitur në selinë e PS-së. Kjo mbledhje vjen pak orë pas takimit që Kryeministri ka zhvilluar me kryetarët e Komisioneve Parlamentare të mazhorancës dhe kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Nga ana tjetër, ky është takimi i parë i Ramës pas anulimit të zgjedhjeve në Tiranë, pas vendimit të Kushtetueses këtë të hënë.
“Në mesazhin që deputetët dhe ish-deputetet kanë marrë nuk saktësohet se cila është arsyeja e këtij takim. Ka gjasa që të ketë një mesazh nga ana kryeministrit njëherësh dhe kryetar i Partisë Socialiste sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe sesi do të vijojë kjo forcë politike në një kohë që nuk do të ketë zgjedhje në kryeqytet të cilat ishin dekretuar nga presidenti për më 9 nëntor. Mbetet për tu parë se cili do të jetë mesazhi që do t’iu përcjellë të tijve kryeministri Edi Rama.



