Të gjithë qytetarët të cilët duan të kundërshtojnë gjobën e marrë në rast se konstatohen pa maskë në ambientet e jashtme do duhet t’u drejtohen Gjykatës Administrative.
Ndryshe nga masat administrative të cilat vendoseshin nga policia gjatë periudhës së karantinës, gjobat për maskat nuk mund të ankimohen në komisionet e policisë, por vetëm në gjykatë.
Do të jetë pikërisht ky institucion i cili do të shqyrtojë pretendimet e “shkelësve” në bazë të aktit të konstatimit të plotësuar nga punonjësi i policisë.
Kjo mundësi jepet vetëm pasi qytetari të ketë paguar gjobën e vendosur, pasi sipas aktit normativ, masa ka titull ekzekutiv dhe menjëherë kalon në sistemin e OSSHE.
Tri ditë nga hyrja në fuqi e vendimit për mbajtjen me detyrim të maskës, policia e shtetit ka vendosur 1.191 masa administrative. E përkthyer në gjuhën e shifrave, gjobat e vendosura deri tani arrijnë në 3 milionë e 573 mijë lekë.