Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shtetasin A. D., i cili kishte mbetur i bllokuar midis shkëmbinjve, në vendin e quajtur “Kalaja e Tërvolit, Gramsh, ku kishte shkuar për të vizituar kanionet, Policia e Elbasanit njofton se si u shpëtua nga forcat RENEA.
Pas marrjes së njoftimit mbrëmjen e djeshme, u nisën në ndihmë të tij shërbimet e Policisë të Komisariatit Gramsh, shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan dhe shërbimet zjarrfikëse.
Për shkak të errësirës dhe terrenit mjaft të vështirë, ndërhyrja në kanione mbrëmjen e djeshme ishte e pamundur.
Shërbimet e policisë kanë mbajtur kontakt të vazhdueshëm përgjatë natës, me 43-vjeçarin, dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, në drejtim të kanioneve, janë nisur forcat speciale RENEA.
Gjatë operacionit të evakuim-shpëtimit, pas disa orësh në një terren mjaft të vështirë, forcat speciale RENEA bënë të mundur nxjerrjen e 43-vjeçarit, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.
Shtetasi A. D., që kishte mbetur në kanione ka falënderuar forcat speciale RENEA dhe të gjitha shërbimet e tjera që morën pjesë në operacionin e evakuimit dhe shpëtimit të tij.