Gjykata Federale e Drejtësisë në Gjermani e ka lënë në fuqi dënimin ndaj 99-vjeçares Irmgard F. ish-sekretare e kampit të përqendrimit Stutthof, e akuzuar për nxitjen e vrasjeve masive të më shumë se 10.000 njerëzve në periudhën qershor 1943 – prill 1945.
Gjykata me seli në qytetin lindor Lajpzig, e ka hedhur poshtë ankesën ndaj vendimit të Gjykatës rajonale Itzehoe, në qytetin verior Hamburg, në dhjetor të vitit 2022.
Gjykata rajonale e ka dënuar gruan me dy vjet burgim me kusht për dhënie ndihme dhe nxitje të vrasjeve në 10.505 raste dhe tentim-vrasje në pesë raste.
Gruaja, e identifikuar sipas ligjeve gjermane të privatësisë si Irmagard F., është dënuar sikurse të ishte nën moshën 21-vjeçare, pasi ka qenë e mitur në kohën e kryerjes së krimeve.
Vendimi i së martës është përfundimtar.
Ky rast konsiderohet si ndër gjyqet e fundit penale për adresim të vrasjeve masive që kanë kryer nazistët.
Irmgard F. ka punuar si daktilografe në zyrën e komandantit në kampin nazist të përqendrimit Stuttof, në atë që dikur ka qenë qyteti Danzig – tani Gdansk në Poloni – sa ka qenë 18 ose 19-vjeçare.
Gjykata rajonale ka vlerësuar se gjatë punës së saj, ajo u ka ndihmuar zyrtarëve të kampit në vrasjen sistematike të të ndaluarve.
Edhe vetëm mbështetja e aktiviteteve aty mund të shihet ligjërisht si nxitje e vrasjes.