Mbappe e pranon: Europiani im ishte i dështuar

Kylian Mbappe ishte një nga më të kritikuarit, pas eliminimit të Francës në gjysmëfinalen e Europianit nga Spanja.

Pritshmëritë për sulmuesin ishin shumë të mëdha, por 25-vjeçari e mbylli turneun vetëm me një gol të shënuar edhe atë nga penalltia.

Në shumë ndeshje, Mbappe ishte në hije, ndërsa ndaj Spanjës, përveç asistit te goli i parë, nuk bëri thuajse asgjë tjetër, përkundrazi, shpërdoroi edhe dy raste të pastra për shënim.

Pas eliminimit, vetë lojtari pranoi se Europiani i tij mund të quhet si një dështim.

“Në futboll ose je i mirë ose nuk je. Unë këtë herë nuk isha i mirë. Dëshira ishte që të bëhesha kampion Europe, por Europiani im ishte i dështuar. Tani do shkoj të pushoj dhe të qetësohem. Pas kësaj do të bëhem gati, për të nisur një jetë të re.”, deklaroi Mbappe.

Sulmuesi francez, nga sezoni i ardhshëm, do të jetë pjesë e Real Madrid, pasi mbylli aventurën te PSG-ja. Prezantimi i sulmuesit me fanellën e skuadrës spanjolle, është planifikuar të bëhet më 15 korrik.

Të Fundit