Policia e Tiranës ka arrestuar 31-vjeçarin Gleard Gusholli, i cili ka mbajtur peng për 1 javë bashkëjetuesen e tij dhe e ka dhunuar sistematikisht.
Gjithashtu, janë arrestuar edhe 4 shtetas të tjerë që përkrahën autorin e krimit dhe kryen veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës Besmir Nurçellari, Arjan Sheta, Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi.
Shtetasi Gleard Gusholli i ka hequr lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, të cilën e ka dhunuar vazhdimisht, me sende të forta, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.
Shtetasit Besmir Nurçellari, Arjan Sheta nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa shtetasit Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.
28-vjeçarja ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Vetë e reja, e cila ndodhet në spital, ka deklaruar se Gusholli ka tentuar ta vrasë, ndërsa sipas saj, kjo nuk ishte hera e parë që ai e dhunonte. Vetë avokati i së resë, në një prononcim për gazetarët kërkoi rikualifikim të veprave penale që rëndojnë mbi 31-vjeçarin, në pengmarrje dhe tentativë vrasje.
Avokati po ashtu tregoi se 28-vjeçarja ka lindur e është rritur në Gjermani, ku punonte si infermiere. Me autorin e dyshuar të ngjarjes ishte takuar në një spital atje. Nga ai moment kishin nisur një histori dashurie dhe së fundmi e reja ishte kthyer në Shqipëri.
Shkak për gjithë këtë ngjarje të rëndë dyshohet se u bë xhelozia e sëmurë e 31-vjeçarit