Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të mërkurë seanca paraprake në lidhje me dosjen e njohur si “Buka”, në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Ahmetaj akuzohet në këtë çështje për shpërdorim detyre me pasoja të rënda ekonomike.
Seanca vjen pas vendimit të mëparshëm të GJKKO-së për kthimin e dosjes në Prokurorinë e Posaçme për plotësimin e hetimeve. SPAK ka dorëzuar tashmë provat dhe aktet e reja hetimore, ndërsa gjykata ka vendosur t’u japë kohë mbrojtësve ligjorë të Ahmetajt për t’u njohur me materialet e reja.
Seanca e radhës, ku pritet të merret vendimi për dërgimin ose jo të çështjes për gjykim të plotë, është caktuar për datën 17 korrik, ora 13:00.
Sipas SPAK, Ahmetaj dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në procesin e privatizimit të ish-fabrikës së bukës, duke firmosur transferimin e pronës në kundërshtim me vendimet gjyqësore që njihnin si pronarët ligjorë. Sipas hetuesve, ky veprim ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh.