Mbaheshin si kafshë shtëpiake në Shqipëri, luani Erion dhe arusha Flora nisin jetën e re në Gjermani

Një luan dhe një ari, të kapur në mënyrë të paligjshme në veri të Shqipërisë, janë dërguar në rezervate për kafshë të egra në Gjermani në fillim të dhjetorit. Ato u zbuluan nga autoritetet në Tiranë se po mbaheshin ilegalisht si kafshë shtëpie në një pronë private.

Erioni, një luan 3-vjeçar dhe Flora, një arushë 2-vjeçare, po fillojnë tani një jetë të re në ambient të përshtatshëm për llojin e tyre.

“Jemi shumë të lumtur që autoritetet konfiskuan kafshët dhe tani kemi mundësinë t’i çojmë në Gjermani, ku mund të fillojnë një jetë të re dhe të jetojnë në kushte të përshtatshme për speciet e tyre”, tha Magdalena Scherk-Trettin, menaxhere projektesh pranë organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve, Four Paws.

Shpëtimi u realizua nga një ekip i Four Paws pas gjetjes së luanit nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve, bazuar në video të publikuara nga pronari në TikTok. As autoritetet dhe as organizata nuk kanë bërë publik emrin e personit që i mbanin si kafshë shtëpie.

Para nisjes për udhëtimin e gjatë drejt shtëpive të reja, veterinierët i nënshtruan kafshët drejt anestezisë dhe më pas i vendosën në kuti transporti. Më 13 dhjetor, ata përfunduan një udhëtim 70-orësh përmes disa vendeve evropiane, me Erionin të strehuar në një rezervat për kafshë të egra në jug-lindje të Gjermanisë dhe Florën në një rezervat për arinj në veri të vendit, njoftoi Four Paws.

Organizata theksoi se të dy kafshët ishin në gjendje të dobët shëndetësore.

“Kontrolli vizual fillestar tregoi se Flora ishte kequshqyer dhe kishte probleme dentare, ndaj plani i saj i shërimit ka filluar menjëherë”, tha organizata.
Ndërkohë, kur u shpëtua Erioni, tij i kishte rënë krifa e flokëve, për arsye që veterinierët ende nuk kanë mundur t’i sqarojnë.

Pavarësisht udhëtimit të vështirë, shpëtimi ia ka vlejtur.

“Jemi të lumtur të shohim këto kafshë që fillojnë jetën e tyre të re,” shtoi Scherk-Trettin.

Ndërkohë siç shkruan Asocciated Press, tregtia e paligjshme e kafshëve të egra mbetet një problem sistemik në Shqipëri dhe rajon, ku arinjtë dhe kafshët ekzotike mbahen në kafaze në restorante apo pronësi private pa kujdes të veçantë.

Origjina e Erionit dhe Florës mbetet e paqartë. Four Paws beson se luani është viktimë e tregtisë ilegale të kafshëve të egra, ndërsa ariu mund të ketë qenë i gjuajtur nga natyra.

“Ky shpëtim nxjerr në pah nevojën urgjente të Shqipërisë për të luftuar tregtinë ilegale dhe mbajtjen private të kafshëve të egra,” tha organizata në një deklaratë.

Të Fundit