Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka parandaluar vjedhjen e të dhënave të mbi 5 mijë shtetasve shqiptarë në operacionin e pak ditëve më parë ku u arrestuan 2 kinezët, Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se përllogaritja e shumës që rrezikonte të vidhej përmes skemës mashtruese të kinezëve në falsifikimin e faqeve të Postës Shqiptare shkojnë rreth 5 miliardë lekë, apo 50 milionë euro, nga llogaritë bankare të shqiptarëve. 2 kinezët, pasi erdhën në Tiranë për të vijuar aktivitetin kriminal, u akomoduan në një hotel shumë afër qendrës së kryeqytetit, vend ku u gjetën me dhjetëra sende materiale me rëndësi për hetimin.
Ata kishin planifikuar që të qëndronin për disa ditë në Shqipëri, do largoheshin dhe pas ngritjes së infrastrukturës për marrjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë, paratë do të tërhiqeshin nga jashtë vendit. Krimi Kibernetik ka rënë në gjurmët e grupit të kinezëve nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm të “darkweb” dhe burimeve të hapura në internet, të cilat pasi janë verifikuar kanë çuar në identifikimin e 2 kinezëve.
Si rezultat nisi një procedim me metoda speciale hetimi, i cili përfundoi me sukses. Hetimi është në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë.




