Boksierja e Algjerisë, Imane Khelif është në qendër të vëmendjes për shkak të pjesëmarrjes së saj në Lojërat Olimpike të Parisit.
Ajo është vënë nën sulm pasi mposhti boksierin italiane Angela Carini, teksa personazhe të njohur si Elon Musk apo shkrimtarja J. K. Roëling e kanë dënuar pjesëmarrjen e saj në boksin për femra.
Shumë besojnë se Imane Khelif është një mashkull që ka tranzituar dhe identifikohet si femër, megjithatë lidhur me të shkuarën e Khelif ka shumë të paqarta.
Ajo cilësohet si “biologjikisht mashkull” për shkak të disa testeve biokimike që çuan në skualifikimin e saj nga Organizata Botërore e Boksit në vitin 2023, pavarësisht se një vit më parë, në 2022 ajo ishte shpallur fituese.
Megjithatë, lloji i testeve që janë kryer dhe rezultatet nuk janë bërë publike për shkak të kofidencialitetit të personit në fjalë. Në atë kohë u tha se ajo kishte rezultuar me nivele të larta testosteroni.
Megjithatë, kjo ka bërë që shumë të spekulojnë se Imane Khelif ka rezultuar me kromozome XY që e bëjnë atë biologjikisht mashkull.
Por të shumtë janë algjerianët që thonë se Imane Khelif nuk ka qenë kurrë mashkull, por ka lindur femër dhe si e tillë është identifikuar gjatë gjithë jetës së saj.
Ata pretendojnë se Khelif ka hiperandrogjenizëm, një gjendje që shkakton prezencë të lartë të testosteronit dhe hormoneve të tjera mashkullore te femrat. Pretendimet i mbështesin duke theksuar se Algjeria është një ndër shtetet që i ka shpallur transgjinorët dhe tranzitimin në gjini tjetër të paligjshme që prej vitit 1966.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë disa foto të Khelif kur ishte fëmijë, por mbeten ende të pakonfirmuara nëse bëhet fjalë për të.
Edhe boksierja e Tajvanit Lin Yu-Ting që garon në këto lojëra olimpike është përfshirë në të njëjtin skandal.
Në mars 2023, Yu-Ting dështoi në një test seksual dhe iu hoq një medalje bronzi nga Kampionati Botëror i Boksit të Grave, nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) dhe iu dha bullgares Svetlana Staneva.