Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka caktuar ende një takim me familjarët e viktimave të sulmit në Moskë, tha sot Kremlini.
“Nëse na nevojiten kontakte, ne do t’ju informojmë,” u përgjigj zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet nga gazetarët nëse presidenti rus planifikon të takohet me të afërmit e viktimave të këtij sulmi, i cili mori jetën e 143 personave.
Putin tha të hënën se sulmi, më vdekjeprurësi i Rusisë në dy dekada, u krye nga “islamistët radikalë”, por autoritetet ruse akuzuan shërbimet e inteligjencës ukrainase dhe perëndimore si “bashkëpunëtorë”.
Organizata xhihadiste Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti rus foli publikisht një ditë pas këtij sulmi, i cili ndodhi të premten mbrëma. Sipas Peskov, Putin nuk shkoi në vendin e sulmit për të mos “ndërprerë punën” e ekipeve të shpëtimit.
Ndërkohë të mërkurën, Putin udhëtoi në rajonin Tver, në veriperëndim të Moskës, për të vizituar një muze historik dhe për të takuar punonjës të kulturës.
I pyetur për informacionin se dhjetëra persona janë ende të zhdukur pas sulmit në sallën e koncerteve në Moskë, Kremlini tha se me këtë do të merren hetuesit.
Sipas informacioneve, 95 persona rezultojnë të zhdukur.