Masakra e Dobraçit/Lejuan personin e 3-të largohet, procedohen efektivët në Shkodrës

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës, ku akuzon disa efektivë të Policisë së Shkodrës për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën e Dobraçit, ku humbën jetën 4 persona.

Sipas burimeve për media, AMP ka dyshime të forta se efektivët e Policisë së Shkodrës nuk kanë kryer detyrën siç duhet, duke lejuar që të largohet nga vendngjarja personi i tretë që dyshohet të ketë qenë në makinën e viktimave, Hamza Licit dhe Arlind Buhatit.

Tashmë, Prokuroria ka nisur hetime të thelluara lidhur me grupin e efektivëve që ndodheshin në vendngjarje.

Ende mbetet mister identiteti i personit që shfaqet në një video të siguruar nga hetuesit.

Edhe pse nuk është e konfirmuar ende nga policia, ka dyshime të forta se personi i tretë që ka qenë në makinën e viktimave është i shumëkërkuari Ibrahim Lici.

Atentati ndodhi në zonën e Dobracit, në rrugën Shkodër-Koplik, më datë 30 tetor, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj një automjeti me targa kroate.

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, u ekzekutua në vend, ndërsa Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryebashkiak, Xhemal Bushatit, ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës. Kalimtarja Flutura Basha, e cila po lëvizte me motor bashkë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, gjithashtu u vra në sulm. Bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Autorët e atentatit dyshohet se janë afruar paralelisht me makinën ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, duke hapur zjarr me breshëri plumbash për rreth 150 metra në lëvizje.

Dyshohet për tre atentatorë, dy në rolin e ekzekutorit dhe një në drejtimin e mjetit.

Ndërkohë, hetuesit po presin rezultatet e analizës shkencore të armës së tretë që u gjet në automjetin e viktimave, përmes së cilës do të përcaktohet nëse shenjat e gjurmëve të gishtërinjve ose gjakut i përkasin Ibrahim Licit.

I shumëkërkuari dyshohet të ketë qenë i pranishëm në vendngjarje sipas një videoje amatore të publikuar pas ngjarjes.

Konfirmimi i pranisë së Licit në automjet do të ndryshonte tërësisht drejtimin e hetimeve dhe do të ndihmonte në identifikimin e shënjestrës kryesore të këtij atentati të rëndë.

Të Fundit