Marta Kos: Dështim nëse Shqipëria e Mali i Zi nuk anëtarësohen në BE brenda mandatit tim

Gjatë intervistës së dhënë për REL-in, komisionerja e lartë e BE, Marta Kos tha se ajo do ta cilësonte si një dështim nëse gjatë mandatit të Komisionit aktual nuk do të kishte anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ajo u shpreh optimiste, duke theksuar se nga pikëpamja teknike “mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026” dhe “mund të përfundojmë me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.

E pyetur nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së, ajo u përgjigj se mund të ketë edhe vende të reja.

Duke folur për Serbinë, vendin që ajo do ta vizitojë këtë javë, Kos tha se “Serbia duhet vërtet të japë rezultate”.

“Fjalët nuk mjaftojnë. E shoh misionin tim ose vizitën time atje si një përpjekje të madhe për ta rikthyer Serbinë në rrugën evropiane”, tha Kos.

Ajo shtoi se kërkesat e protestuesve, të cilët po protestojnë prej muajsh në Serbi – pas vdekjes së 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad – janë të njëjta me ato të Komisionit Evropian.

“Është shteti i së drejtës, është lufta kundër korrupsionit, është prokurimi publik, është legjislacioni për mediat, është legjislacioni për zgjedhjet. Serbia ka premtuar shumë në dhjetor në të ashtuquajturin ‘non-paper’ [dokument joformal”, tha Kos, duke shtuar se tani “duhet të kontrollojmë nëse po i zbatojnë ato që kanë premtuar”.

“Dhe në fakt, më pëlqen të them që unë jam mbështetësja më e madhe e protestuesve, sepse nëse Serbia është serioze për rrugën drejt BE-së — dhe ata më thonë se janë — atëherë do të duhet të japin rezultate”, tha Kos.

Ndërkohë, zyrtarja e BE-së tha se është e vështirë të punohet me liderë si presidenti i entitetit të Republika Sërpska (RS) së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Ajo tha se “është e vështirë të merresh me dikë që nuk vepron në të mirën e vendit të tij, Bosnje e Hercegovinës” dhe që shkon “kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues”.

Tutje, Kos theksoi se kjo është një nga arsyet pse Bosnje e Hercegovina, edhe pse ka status kandidati, ende nuk ka hapur negociatat me BE-në.

Në lidhje me sanksionet potenciale ndaj Dodikut, ajo shtoi se “shtetet anëtare nuk janë të bashkuara” për t’i vendosur ato.

Dodik, së bashku me kryetarin e Parlamentit të RS-së, Nenad Stevandiq, dhe kryeministrin Radovan Vishkoviq, akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe ndaj tyre është lëshuar një fletarrestim qendror në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi nuk janë përgjigjur thirrjes së Prokurorisë së Bosnjës për t’u paraqitur në marrje në pyetje. REL

Të Fundit