Marrëveshja për targat, aktivistët i gjuajnë me qershi Albin Kurtit

Marrëveshja për targat e arritur të mërkurën mes Kosovës dhe Serbisë, solli reagimin e Partisë Socialdemorkate të Kosovës. Aktivistë të saj ishin mbledhur pasditen e sotme para ndërtesës së qeverisë, teksa kryeministri Albin Kurti pritej të mbërrinte në godinë për të bërë prezantimin e buxhetit 2023.

Me brohorima “fshehu-fshehu”, aktivistët hodhën qershia në drejtim të kryeministrit. Ato nuk e prekën pasi shoqëruesit e tij hapën menjëherë çadrën. Ndërkohë, në mënyrë simbolike aktivistët hodhën qershi në hyrje të godinës.

“Kryeministri po i përdor diskutimet me qytetarë si platformë për t’i ikur temës kryesore, koncesionit. Ai është i interesuar që tema e mbrëmshme të harrohet sa më shpejt, sepse prapa pranimit të djeshëm për çështjen minore, si puna e targave, fshihej çështja madhore, pranimi i Asociacionit. Ato data e afate ishin për ta ushqyer imazhin prej rezistenti, i cili i dështoi. Kryeministri i hëngri fjalët e tij. Secilën. Bash sikur fabula me qershi. E dëmin po e hanë qytetarët e vendit, pa dallim. z. Kryeministër, qershizat janë veç për juve”, tha në komunikatë PSD.

Vete kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se kryeministri i Kosovës ka filluar të hyjë skutave.

“Kryeministri i Kosovës ka filluar të fshehet, të hyjë skutave sepse ashtu e ka bërë punën. Mbrëmë vartësi i tij ka nënshkruar marrëveshje dhe i ka pranuar të gjitha ato që më herët që i kemi kundërshtuar së bashku”, u shpreh Molliqaj

 

Të Fundit