Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi tha para gazetarëve se ka pasur një paqartësi lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës. Ai tha se për këtë arsye e cilëson si vendimin më të drejtë vendimin për ta çuar çështjen për konsultim në Komisionin e Venecias.
Peleshi tha gjithashtu se në asnjë moment nuk është shkelur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është trajtuar sipas tij menjëherë në Kuvend.
“E vlerësoj si vendimin e duhur e më të mençur të mundshëm për ta çuar në komisionin e Venecias për të kërkuar një vlerësim. Ky konsultim do të na vlejë jo vetëm për rastin në fjalë, por për të gjithë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kalojnë përmes votimit në seancë. Ne vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kemi trajtuar menjëherë në Këshillin e Legjislacionit dhe pa hezituar ashtu si e kërkonte ky vendim e kaluam në seancë.
Vendimi thotë që Kuvendi duhet të sjellë mocionin, Kuvendi është bashkësi deputetësh dhe këtë e çon përmes votimit në seancë. Në këtë rast nuk kishte një vendim politik, nuk ishte një vendim grupi. Ne votojmë në grup, kjo është disiplina normale e çdo grupi parlamentar”,-tha Peleshi.