Këshilli i Ministrave ka zhvilluar këtë të enjte mbledhjen e radhës dhe ka marrë disa vendime.Një prej tyre u njoftua para gazetarëve nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ajo u shpreh se është vendosur që nga data 1 Tetor të dyfishohet ndihma ekonomike për familjet me dy fëmijë ku gratë janë kryefamiljare. Ndërkohë për të gjitha familjet e tjera që përfitojnë ndihmë ekonomike ajo do të rritet me 10%.
Po ashtu është vendosur që të dyfishohet pagesa e ndihmës ekonomike për të moshuarit që janë pa pension pleqërie apo pension social. Qeveria ka vendosur ndër të tjera që të rrisë edhe kompensimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat me aftësi të kufizuar.
“Vendimi i qeverisë që sot kemi miratuar ka përcaktuar se nga data 1 Tetor rritet me 10% masa e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet që janë përfituese nga programi i asistencës sociale. Ashtu sikur e kemi bërë të ditur, duke filluar nga data 1 Tetor, dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për familjet të cilat kanë dy fëmijë dhe janë pjesë e ndihmës ekonomike, gratë kryefamiljare, të cilat dhe vlerësohet të jenë 5700 gra kryefamiljare me dy fëmijë të cilët do të përfitojnë dyfishimin e pagesës së ndihmës ekonomike. Sa i përket familjeve që janë përfituese në ndihmën ekonomike me tre plus fëmijë ne kemi bërë dyfishimin e ndihmës ekonomike duke filluar nga 1 Janari i këtij viti. Nga ana tjetër kemi vendosur të dyfishojmë gjithashtu pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit të cilët janë pa pension pleqërie dhe pa pension social dhe janë pjesë e skemës së mbështetjes përmes ndihmës ekonomike, të cilët janë plus 65 vjeç. Janë më shumë se 5300 të moshuar të cilët do të përfitojnë nga dyfishimi i pagesës. Dua të ndalem pak në këtë mbështetje që qeveria po jep në skemën e ndihmës ekonomike për përfituesit e saj. Janë mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga këto masa. Është një mbështetje e qëndrueshme dhe afatgjatë, pra nuk është thjesht një mbështetje që jepet për 1 apo pak muaj, por vjen si një mbështetje e cila do të vijojë të jepet edhe në vijim. Pas indeksimit me 7.5% për programin e pagesave të mbështetjes, për personat me aftësi të kufizuar që janë pjesë e mbështetjes sonë, dhe janë rreth 90 mijë persona me aftësi të kufizuar që tashmë i është indeksuar me 7.5% masa e mbështetjes për përfitimin që ata marrin. Një tjetër vendim i rëndësishëm sot është marrë nga qeveria në lidhje me mbështetjen për energjinë elektrike për kompensimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat që kanë status të aftësisë së kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër të cilëve u rritet masa e mbështetjes për kompensimin e energjisë elektrike. Kjo masë mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjike dhe për personat e verbër të kategorisë së parë shkon nga 2 mijë lekë të reja në 3 mijë lekë. Sa i përket personave të verbër që kanë status të kategorisë së dytë nga 1400 lekë të reja që është sot shkon në 2400 lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë përfitojnë më shumë se 12 mijë persona”, u shpreh Manastirliu.