Ylli i muzikës, Madonna, u dërgoi një mesazh mbështetjeje protestuesve në Iran nëpërmjet rrjeteve sociale.
Duke reflektuar mbi udhëtimin e saj të fundit në Marok, këngëtarja theksoi se njerëzit e marrin lirinë e tyre si të mirëqenë, ndërsa gratë iraniane jetojnë në një regjim pa liri, duke përjetuar frikën e ndëshkimit dhe shtypjes.
“Mbajuni fort. Nuk mund të mendoj për një frazë më të përshtatshme se kjo, ndërsa hyjmë në Vitin e Kalit të Zjarrit. Ndërsa reflektoj mbi kohën time në Marok gjatë festave, mendoj për të gjithë njerëzit në Iran që po luftojnë për një revolucion shumë të nevojshëm dhe janë të gatshëm të vdesin për atë në të cilën besojnë. Ne i marrim kaq shumë gjëra si të mirëqena, dhe kështu bëj edhe unë. Lirinë për të udhëtuar nëpër botë. Të vesh çfarë të dua. Të hipi mbi një kalë në shkretëtirë. Të flas lirisht dhe të mos hesht nga ndëshkimi, tortura dhe vdekja e mundshme. Të këndoj. Të kërcej. Të zgjedh rrugën time shpirtërore, jo të dikujt tjetër. Gratë e Iranit nuk e kanë atë liri. Unë qëndroj me to”, ka shkruar Madona në Instagram.
Edhe pse nuk e di saktësisht se çfarë ka vuajtur populli i Iranit, ajo pranoi se lutet për ta.
“Populli i Iranit nuk e ka njohur lirinë për shekuj me radhë. Nuk mund të pretendoj se i njoh vërtet vuajtjet që kanë duruar, por mendimet dhe lutjet e mia janë me popullin e Iranit. Koha është tani. Mbajuni fort! Unë qëndroj me Iranin. Le të dëgjohen zërat e tyre. Liri në Iran”, ka shkruar Madona.




