“Made in Albania”, ministri: Po negociojmë me 5 kompani për prodhim artilerie e dronësh luftarakë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se shumë shpejt Shqipëria mund të nisë prodhimin në industrinë ushtarake, kryesisht në artileri, municione, dronë luftarakë dhe uniforma “Made in Albania”.

Vengu foli për hapat që janë hedhur në këtë drejtim me ligjin e miratuar vitin e kaluar për industrinë ushtarake.

“Nga gjithë paketa ligjore janë krijuar dy ente. Një prej tyre është KAYO që është kompania shtetërore e prodhimit të municioneve dhe gjithë veprimtarisë ushtarake, mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve, e cila ka rigrupuar të gjithë industrinë e vjetër ushtarake, uzinat e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit dhe disa asete të tjera shtetërore”, tha Vengu.

Sipas tij, deri tani kanë ardhur 21 shprehje interesi nga kompani të huaja për të investuar në prodhim municionesh, uniformash e mjetesh të blinduara, dronësh luftarakë”.

“Jemi duke negociuar me pesë prej tyre dhe besoj se shumë shpejt do të kemi lajme të mira në këtë drejtim sidomos për rigjenerimin e veprimtarisë prodhuese sidomos për artilerinë, municionet, dronët luftarakë dhe uniformat ‘Made in Albania’, në këto uzina”, tha ai.

“Ne jemi një treg i vogël, vende me popullsi dhe mjetet relativisht modeste kur krahasohemi me vende të NATO-s, ndaj duhet të bashkojmë forcat për të arritur objektivat dhe kapacitete që duhet të kemi për riarmatimin apo sistemet që përdorim”, tha Vengu.

Të Fundit