Macron për Putinin: Ai është një ‘grabitqar’, një përbindësh në pragun tonë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka lëshuar një deklaratë të fortë për rrezikun që paraqet Vladimir Putin dhe Rusia për sigurinë e Evropës, duke e përshkruar liderin rus si një “grabitqar” dhe “përbindësh në pragun tonë”.

Në një intervistë për rrjetin francez LCI, Macron tha se që nga viti 2007-2008, kur Rusia pushtoi Gjeorgjinë, presidenti Putin ka qenë “një forcë e vazhdueshme destabilizuese” dhe rrallëherë ka mbajtur angazhimet ndërkombëtare.

“Ai është përpjekur të rishikojë regjimin kufitar për të zgjeruar pushtetin e tij. Rusia është bërë një forcë e përhershme destabilizuese dhe një kërcënim potencial për shumë prej nesh,” deklaroi presidenti francez.

Sipas Macron, Rusia aktualisht investon 40% të buxhetit të saj në pajisje ushtarake dhe ka mobilizuar më shumë se 1.3 milion trupa, çka e bën të qartë se nuk bëhet fjalë për një shtet që synon paqen apo hapjen demokratike.

“Një vend që investon në këtë nivel nuk do të bëhet një shtet paqeje brenda natës,” paralajmëroi Macron, duke shtuar se për të siguruar mbijetesën e vet politike dhe strategjike, Vladimir Putin “duhet të vazhdojë të hajë”.

“Ai është një grabitqar, ai është një përbindësh në pragun tonë. Nuk po them se nesër do të sulmohet Franca, por ai është një kërcënim real për evropianët. Dhe ne nuk duhet të jemi naivë,” tha Macron.

Në një intervistë të dytë për NBC News, Macron shprehu edhe pesimizmin e tij për një marrëveshje të afërt paqeje në Ukrainë, duke theksuar se nuk sheh shenja që Presidenti Putin dëshiron ndaljen e luftës.

“Kur shoh situatën dhe ngjarjet, nuk e shoh Presidentin Putin që dëshiron paqe tani. Ndoshta po tregohem shumë pesimist, por realiteti nuk është optimist,” u shpreh ai.

Të Fundit