Luvri rihapet pas grabitjes së guximshme, drejtori i muzeut në hetim

Muzeu i Luvrit hapi sërish dyert për publikun të mërkurën, tre ditë pas një grabitjeje të guximshme që tronditi opinionin publik dhe detyroi mbylljen e përkohshme të institucionit më të vizituar muzeal në botë.

Drejtori i muzeut, Laurence des Cars, do të përballet më vonë gjatë ditës me një seancë dëgjimore nga Komiteti Kulturor i Senatit Francez, ku do t’i bëhen pyetje të drejtpërdrejta lidhur me masat e sigurisë në Luvër.

Des Cars, në krye të institucionit që nga viti 2021, nuk ka bërë ende një deklaratë publike që pas ngjarjes së së dielës, kur hajdutë të armatosur vodhën xhevahire mbretërore në një operacion që zgjati vetëm shtatë minuta dhe shkaktoi një dëm të vlerësuar në 88 milionë euro (rreth 102 milionë dollarë), sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau.

“Humbja më e madhe është trashëgimia historike e Francës”, tha Beccuau, duke shtuar se hajdutët nuk do të përfitonin lehtë nga grabitja, veçanërisht nëse do të guxonin të shkrinin objektet e vjedhura.

Autoritetet janë në ndjekje të katër personave të dyshuar për përfshirje në grabitje, duke hetuar pistën e një grupi të krimit të organizuar. Sipas hetimeve paraprake, autorët kanë hyrë me forcë në ndërtesë duke përdorur një kamion dhe një shkallë, dhe janë larguar me shpejtësi duke hedhur pas një kurorë me diamante.

Të Fundit