Ndotja me hidrokarbure e lumit Gjanica vazhdon teksa në dite me shi derdhjet e naftës në lumë bëhen masive.
Kjo pasi në këtë mënyrë mendohet se mbetjet do të shkarkohen me shpejt në det nëpërmjet rrymës së ujërave të lumit.
Me reshjet e një nate më parë ka ndodhur e njëjta gjë. Ujërat e lumit vezullojnë nga mbetjet e naftës.
Ndërkohë banorët e zonës ankohen se për shkak të aromës së keqe që ka nafta e përzier me ujin e kanë të pamundur të mbajnë hapur dritaret.
“Të helmon era e naftës, vjen shumë shpesh dhe është shumë e rëndë. Ato që kanë përgjegjësinë e tyre të marrin dhe masat që duhen në lidhje me këtë situatë”, ka thënë një banor për Abc News.
Inspektoriati mjedisor tha se dy javë më parë ka gjobitur një kompani private e cila operonte pa leje mjedisore dhe kryente shkarkime në lumë.
Tani mbetet për tu parë nëse prokuroria do të nisë hetim për këtë kompani. Por gjatë gjithë rrjedhës së lumit operojnë dhjetëra kompani nafte të cilat i derdhin mbetjet të papërpunuara në lumë.