Lot, lutje dhe sytë nga qielli në Vlorë: 100 mijë euro i mori uji dhe balta

Një ditë pas përmbytjeve në Vlorë situata vazhdon që të jetë problematike për shkak se pas tërheqjes së ujit qyteti është mbuluar nga balta. Shumë shtëpi janë dëmtuar nga përmbytjet.

“Keni fjetur përjashta gjithë natën, në xhade. Vinin shkëmbinjtë. Nuk e hapte njeri telefonin. Ku të shkonim? Shtëpia është mbytur e gjitha. Urgjentisht na hiqni dheun këtu. Të vijë bashkia ta shikojë dhe ta vlerësojë.

Nuk kemi ujë. Dy pompa janë mbytur. Nuk i ndez dot dritat, është priza në ujë komplet” tha një banore. “Dëmi është shumë i madh, mbi 100 mijë euro produkte farmaceutike” tha pronari i një farmacie.

“Gati 5 mln lekë të vjetra dëm, shumë keq situata. Ndodh vit për vit këtu. Hall i madh. U bllokova në dyqan nuk dilja dot. Ishin prurje të mëdha”, tha pronari i një marketi.

“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milion lekë për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë” tha një tjetër banor.

“Jemi në qiell të hapur. Dolëm jashtë, shtëpia është e mbushur me gurë. Frika ekzistonte por më shumë dëmi, që nuk llogaritet. Janë mbi 50 biznese në të gjithë këtë rrugë. Kjo është e disata herë që përmbytemi. Katastrofë” vijoi më tej një banor tjetër.

Të Fundit