Lloji i ri i COVID-19 izolon Mbretërinë e Bashkuar, shtetet evropiane ndalojnë udhëtimet me britanikët

Pas alarmit nga autoritetet britanike për shfaqjen e  një varianti të ri të virusit i menjëhershëm ishte dhe reagimi nga shtetet evropiane. Disa vende vendosën të pezullojnë përkohësisht udhëtimet dhe fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar.

Duke nisur nga mesnata e së dielës Gjermania pezulloi të gjitha fluturimet ajrore më Mbretërinë e Bashkuar, Lajmi u bë me dije nga Ministri Gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Për 48 orë nga mesnata e së dielës të njëjtin vendim morën  edhe autoritetet franceze, pezullimi i kalimit edhe në Kanalin La Mansh ka nisur të shkaktojë kaos ndërsa në pritje janë me mijëra kamionë.

Kryeministri i Belgjikës bëri me dije gjatë të dielës  se si një masë parandalimi për 24 orë ndalohen udhëtimet me Britaninë ndërsa situata do të vijojë të jetë në monitorim nëse do të duhet të merren masa shtesë. Holanda po ashtu ishte ndër shtetet e para që vendosi pezullimin e udhëtimeve me Britaninë të paktën deri në 1 janar.

Një vendim të tillë mori edhe Italia e cila ndaloi fluturimet deri në 6 janar ndërsa në Romë u identifikua edhe një rast i një personi të prekur me variantin e ri të COVID-19, Ministria italiane e Shëndetësisë bëri me dije se ky shtetas ishte kthyer nga Britania.

Irlanda, Austria Rumania, Bullgaria, Turqia, Zvicra  janë në mesin e shteteve të cilat vendosën po ashtu kufizimeve më Mbretërinë e Bashkuar. OBSH bëri me dije se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet britanike për të pasur sa më shumë informacion mbi situatën e krijuar nga mutacioni i ri virusit.

Kryeministri Boris Johnson pak ditë më parë u kërkoi qytetarëve britanikë të qëndrojnë në shtëpi për shkak të përhapjes së një variacioni të ri të virusit COVID-19 i cili sipas tij është 70% më i transmetueshëm, por nuk shkakton simptoma të rënda dhe sipas ekspertëve derti më tani ka treguar se mund të luftohet me vaksinat e disponueshme. Tashme Londra dhe Anglia Juglindore ndodhen nen masa te forta izolimi.

Të Fundit