Zonat kyçe dhe më të populluara në kryeqytet, si Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe një kompleks pranë zonës së njohur si ’21 Dhjetori’, ishin ndër të parat që iu nënshtruan një inspektimi nga policia dhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, pas urdhrit të kryeministrit për lirimin e hapësirave publike.
Aksioni ka për qëllim rikthimin e trotuareve, shesheve dhe hapësirave publike, tek qytetarët.
“Asnjë subjekt nuk ka të drejtë të pushtojë hapësira në kurriz të komunitetit. Strukturat do të vijojnë me vendosmëri në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik. Apeli im shkon për çdo subjekt në shkelje, që të lirojë shpejt e vullnetarisht hapësirat e zëna, duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë”, tha ministri Hoxha.
Edhe pse urdhri hyn në fuqi nga e hëna, shumë subjekte kanë nisur që këtë të diel të çmontojnë strukturat e lokaleve, që kanë në shkelje.
Kontrollet do të përfshijnë edhe kioskat pa leje, si dhe objekte të vendosura pa autorizim si bidonë apo pengesa të tjera që bllokojnë parkimet publike.