Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Rritet cilësia e jetës komunitare

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Durrësit, pjesë e nismës “Rilindja Urbane 2.0”.

Rama thekson se do të rivendoset një balancë e qartë mes të drejtës së qytetarëve për lëvizje të lirë dhe interesave ekonomike të bizneseve private, duke respektuar gjithmonë interesin e përbashkët të komunitetit.

“Edhe në Durrës vazhdon çlirimi i hapësirave publike, për t’i hapur rrugën Rilindjes Urbane 2.0 që do të rrisë cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve tona të mëdha, ku do të rivendoset qartë kufiri mes lirisë publike për të lëvizur e marrë frymë lirisht dhe të drejtës për aktivitet ekonomik të subjekteve private, gjithnjë në respekt të komunitetit”, shkruan Rama.

Kujtojmë që mesditën e kësaj të premteje, fadromat dhe inspektorët e IMT Durrës u fokusuan në aksin “Aleksandër Goga”, pranë Muzeut të Dëshmorëve.

Aksioni i ndërmarrë nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Policia Bashkiake dhe strukturat lokale synon lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundraligjshme nga qytetarët dhe bizneset.

Gjatë ditëve në vijim, aksioni do të vijojë në këtë zonë deri pranë Spitalit Rajonal të Durrësit.

Të Fundit