Ligji për Barazinë Gjinore, Kumbaro: Mos u bazoni te dezinformimi, lexoni ligjin

Midis debateve për ligjin e ri për barazinë gjinore dhe pritjes për dekretim nga presidenti, ka reaguar dhe ministrja e arsimit Mirela Kumbaro, e cila ka kërkuar më shumë qartësi dhe informim mbi përmbajtjen reale të ligjit.

“Ju duhet të dini që çdo iniciativë ligjore kanë një detyrim ligjor që është bindje politike që ne kemi, të jemi në të njëjtën linjë me direktivat europiane që rregullojnë jetën demokratike në vendet tona. E njëjta gjë ka ndodhur me ligjin në fjalë”, tha ministrja.

Kumbaro iu përgjigj edhe shqetësimeve të ngritura nga grupe të ndryshme lidhur me ndikimin e mundshëm të ligjit në sistemin arsimor dhe literaturën për fëmijët.

“Merreni lexojeni ligjin, të gjitha programet shkollore i kemi të botuara, ato kalojnë në një proces shumë të gjatë diskutimi dhe trajnimesh nga mësueset. Ndaj është e rëndësishme të komunikojmë mesazhin e duhur prindërve dhe klasave, mësuesve para se të hedhim shashka siç janë përpjekur aktorë të ndryshëm”, u shpreh ministrja.

Ligji për Barazinë Gjinore u miratua në Kuvend me 77 vota pro dhe synon të përmirësojë kornizën ligjore për trajtimin e barabartë të qytetarëve, në përputhje me standardet europiane.

Të Fundit