“Lëvizje në të gjithë piramidën e Policisë”, Rama për “Shqiponjat” dhe “Patrullën e Përgjithshme”: Shpesh kapërceni rolin tuaj!

TIRANË

Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit. Në fillim të fjalës së tij, Rama paralajmëroi lëvizje të tjera në Policinë e Shtetit, teksa tha se do të ketë lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e Policisë së Shtetit, deri në nivelin e komisariateve.

Më tej, kryeministri Rama iu drejtua krerëve të rinj të policisë vendore, duke iu kërkuar të jenë sa më të kujdesshëm në komunikim me qytetarët, pasi sipas tij, ky është prioriteti i prioriteteve. Rama kritikoi Forcat “Shqiponja” dhe ato të Patrullës së Përgjithshme, pasi sipas tij, shpesh e kapërcejnë rolin e tyre në raport me qytetarët.

“Së pari, dua t’i uroj punë të mbarë të gjithë drejtuesve të rinj të qarqeve dhe duke shpresuar që këto lëvizje, që do të shoqërohen me lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e Policisë së Shtetit, deri në nivelin e komisariateve, të vlejnë për një rienergjizim të domosdoshëm në një fazë të re, ku hyn reformimi dhe transformimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit.

Pa diskutim që Policia e Shtetit sot ka jo pak arsye për të qenë krenare lidhur me punën e saj, por nga ana tjetër, pikërisht pse Policia e Shtetit ka dhënë provën se në këtë vend mund të ketë një Polici Shtetit të standardeve evropiane, edhe pritshmëria, edhe pakënaqësia e qytetarëve, është në një nivel domethënës.

Pritshmëria lidhet me domosdoshmërinë që Policia e Shtetit të ecë më shpejt dhe të japë rezultate në çdo hap. Pakënaqësia shkon bashkë me pritshmërinë. Dua ta nis këtë renditje të problematikave pikërisht nga raporti i policisë së Shtetit me qytetarët, që është “A” dhe “Zh” e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit. Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët, sidomos nga ana e forcave “Shqiponja” dhe Patrulla e Përgjithshme, të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura. Rritja e rasteve të mungesës së etikës në komunikimin me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë, që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet, nevojat dhe ankesat e qytetarit.

Imazhi shumë pozitiv i ndërtuar dhe konsoliduar këto vite në sytë e qytetarëve, nuk mund në asnjë mënyrë të cenohet, e aq më pak të lëndohet, duke afektuar gjithë Policinë e Shtetit në optikën e opinionit publik. Ky është edhe prioriteti i prioriteteve për të gjithë drejtuesit e rinj të policive vendore, që shenjtërimin e uniformës dhe mbrojtjen e imazhit të Policisë së Shtetit duhet ta kenë dritë në syrin e tyre”, tha Rama.

Të Fundit