Sefedin Selmanaj, punonjës në aeroportin e Vlorës, pasi nuk ishte paguar rregullisht për punën e tij, iu drejtua gjykatës dhe fitoi një dëmshpërblim prej 14 milionë lekësh të vjetra. Sipas vendimit, shuma do t’i kthehej përmes përmbarimit, por Selmanaj mësoi, se avokati i tij, Delo Mecani, i kishte tërhequr paratë. Mecani pranoi, se i kishte marrë paratë dhe tha, se do t’ia kthente klientit, por pas një viti, kjo nuk ka ndodhur.Kur qytetari dhe gazetarja takuan avokatin në Vlorë, Mecani deklaroi, se kishte rënë dakord me klientin për t’i ndarë përgjysëm, megjithëse nuk ekzistonte asnjë dokument, që vërtetonte një marrëveshje të tillë. Pas diskutimeve, ai pranoi, se do të mbante vetëm tarifën, që përcakton ligji i avokatisë. Në një telefonatë të mëvonshme, avokati Delo Mecani reagoi me fyerje dhe kërcënime, duke e ofenduar qytetarin dhe gazetaren. Kur mendoi, se e kishte mbyllur telefonin, në një bisedë me miqtë, avokati u dëgjua duke justifikuar veprimet e veta dhe duke fyer e kërcënuar sërish. Ne mësuam, se Prokuroria ka regjistruar dy procedime penale ndaj Mecanit, për “Mashtrim me pasoja të rënda”.Në të njëjtën kohë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka hapur një procedim disiplinor ndaj tij dhe ka paralajmëruar se më 6 nëntor 2025 do të merret një vendim për licencën e avokatit.




