Policia e Tiranës ka organizuar operacionin e koduar “Wrong Project”, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme.
Pas verifikimeve në një zonë rezidenciale në Sauk, u vunë në pranga pesë inspektorë të IMT Tiranë dhe një tjetër është në hetim pasi dyshohet se kanë lejuar ndërtimin pa leje të 3 banesave, duke shpërdoruar detyrën.
Po ashtu, tre persona të tjerë me të njëjtën detyrë janë shpallur në kërkim.
“U ndaluan: Gjergji Male, 38 vjeç; Krenar Rexhepi, 48 vjeç; Aldo Dubi, 35 vjeç; Odise Cenaj, 41 vjeç; Endri Dervishi, 32 vjeç. U shpallën në kërkim: Xh. M., 32 vjeç; K. D., 37 vjeç; A. N., 46 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë: E. D., 35 vjeçe”, njofton policia.
Të gjithë këta shtetas, me detyrë inspektor i IMT Tiranë, dyshohet se kanë lejuar ndërtimin pa leje të tre banesave në Sauk, ndërsa akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, u ndaluan dy persona dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim, të gjithë administratorë ose zbatues të projektit për ndërtimin e tri objekteve.
“U ndaluan gjithashtu: Bianka Xhumari, 35 vjeçe; Ritvan Gjikolaj, 36 vjeç, me detyra drejtuese dhe teknike për subjektin ndërtues. U shpallën në kërkim: E. K., 55 vjeçe; S. S., 67 vjeç (bashkadministratorë të subjektit ndërtues) dhe E. Sh. (Ç.), 45 vjeçe, arkitekte.
Këta shtetas dyshohen për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, njofton policia.
Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të shpallur në kërkim ndërsa gjithashtu, vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale individuale të 14 shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.




