Lehtësuan dënimin ndaj Dritan Dajtit, Gjykata e Lartë rihap hetimet për 3 gjyqtarët

Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit për pushimin e hetimeve ndaj tre gjyqtarëve Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët lehtësuan dënimin për Dritan Dajtin.

Trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici prishën vendimin e Apelit të GJKKO të datës 27 nëntor 2020 dhe vendosën rikthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e 4 punonjësve të policisë dhe ndodhet në qeli prej vitit 2008.

Por, në shkurt të vitit 2019 një trupë gjykuese pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin duke e dënuar atë me 25 vite burg.

Tre gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj në shumicë, vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, çka uli dënimin e tij me 1/3. Ndërsa dy gjyqtarët e tjerë në pakicë ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Gjithsesi ishte po Gjykata e Lartë që pranoi rekursin e Prokurorisë duke rikthyer burgimin e përjetshëm për Dajtin në qershor 2024.

Të Fundit