Lidhur me largimet në rritje të të rinjve shqiptarë, kryeministri Rama tha se diçka e tillë s’mund të ndalohet kur tashmë jetojmë në një vend të hapur.
“Nuk ka një mënyrë për ta ndaluar. E dyta, çfarë mund t’i thuhet një të riu 20 vjeç që ka përpara gjithë botën në celular? Është në një realitet të një fshati dhe që thotë dua të shkoj ta provoj veten në Europë, SHBA apo Australi. I thua jo se do të rrish në vendin tënd? Jo, është gënjeshtër. Është në të drejtën e vet.
Sa kohë kemi zgjedhur të jemi një vend i hapur dhe lavdi Zotit jo më si në kohën e mëparshme kur s’dilnim dot nga Shqipëria, kemi pranuar sfidën që njerëzit të lëvizin, disa nuk do të kthehen më, disa do të kthehen dhe s’ka një alternativë ndaj kësaj”, tha Rama.



