Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me disa biznese dhe qytetarë në Njësinë 4 në Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit me një qytetare, e cila kishte kaluar Covidin, Basha premtoi se ka një plan konkret për të gjithë ata qytetarë që kanë kaluar virusin në shtëpi, duke i ndihmuar.
Qytetarja i tha Bashës: “Ka ardhur fundi, ky vampiri po na i thith gjakun të gjithëve”.
Nga ana e tij, Basha u shpreh se në 25 prill do të bëhemi bashkë për të larguar Ramën.
“Pandemia ka dalë jashtë kontrollit se këta nuk kanë marrë asnjë masë. Njësoj si ty, të gjithë ata që e kanë kaluar në shtëpi janë zhytur në borxhe.
Duhet të bëhemi bashkë dhe në 25 prill t’i japim fund. Ne po bëjmë gati një plan që të gjithë ata që e kanë kaluar covidin dhe që janë detyruar të zhyten në borxhe të kenë ndihmën që ky nuk ia ka dhënë. Lekët tuaja i ka ruajtur për veten e tij. Ne kemi një plan konkret dhe nuk do ju lemë në baltë. Nuk do ju zhgënjejmë”, u shpreh Basha.