Kryeministri Edi Rama në konferencën e përjavshme “Ekonomia në fokus” deklaroi se në mandatin e tretë kjo qeveri ka si ambicie rritjen e pagës minimale.
Sipas tij, rritja e pagës minimale në 300 mijë lekë të vjetra, është vetëm një stacion.
Mes të tjerash ai renditi disa nga arritjet që janë bërë për biznesin e vogël, siç ishte dhe heqja e taksës së tatim-fitimit apo dhe TVSH-së.
“Dëshirojmë të përqendrohemi tek tre aspekte shumë të rëndësishme që janë besoj dhe tre gurët e themelit për mandatin e tretë dhe punën në vijim. Në kushtet e një situate të jashtëzakonshme, e cila për ne shqiptarët ka nisur përpara se sa të niste për mbarë botën, pasi u përballëm me një tërmet katastrofik që jo vetëm privoi në pak sekonda mijëra familje nga streha, shkatërroi dhjetra shkolla, por imponoi edhe një rishikim të prioriteteve. Më pas erdhi armiku i padukshëm, i cili ka goditur fortë ekonominë e të gjitha vendeve, ka influencuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik të të gjithë aktorëve të mëdhenj dhe të vegjël. Po ashtu ka diktuar rënien e kërkesës së furnizimit. Kufizime dhe në flukset e parasë. Gjithsesi, ne jemi përballur me forcë, kurajo dhe shumë vullnet e angazhim me të dy këto fatkeqësi. Ndërkohë, ajo për të cilën jam krenar për punën tonë, është se për asnjë moment nuk i kemi lënë vetëm ata që kanë qenë më të ekspozuar ndaj këtyre fatkeqësive. Familjet që po kthehen në shtëpi javë pas jave, apo ato që pritet të kthehen. Sigurisht të gjithë kategoritë e aktivitetit ekonomik, duke u përqendruar tek më të vegjlit. Zerimi i taksës për biznesin e vogël është një gur i rëndësishëm kilometrik drejt të ardhmes dhe përbënë një nga pikat më domethënëse të ndryshimit të madh në qasje dhe veprim dhe rezultat me palën tjetër që ripredikon taksën e sheshte, duke kërcënuar më të dobëtit. Kur 100% e bizneseve paguanin tatim-fitimin 10% deh TVSH. Ndërkohë që sot 91% e bizneseve paguajnë zero tatim/fitimi dhe zero TVSH dhe vetëm 9 % e tyre paguajnë 15% të tatim-fitimit. Brenda 90% janë 111 mijë biznese me rreth 300 mijë persona të punësuar që janë çliruar totalisht nga tatim/fitimi. Është një hap që e vendos Shqipërinë në një pozicion të posaçëm në raport me biznesin e vogël. Çdo person, subjekt që ka një xhiro vjetore deri në 100 e 14 mijë euro është një subjekt pa taksa. E dyta, po jo për nga rëndësia, është paga minimale që e kemi vendosur në 30 mijë lekë tani më. Kemi ambicien ta rrisim në vijim vit pas viti. Pjesën se çfarë do të bëjmë, do ta trajtojmë gjerësisht në fazën e fundit të këtij mandati ku do të shpalosim Shqipëria e vitit 2030. Paga 300 mijë lekë nuk është pikëmbërritje, por stacion. Kjo nuk është një shumë për të pritur duartrokitje apo lëvdata, por dhe sfiduese. Krahasuar me ku ishim, jemi siç e shihni ku e ku. Në 2013-ën kishte vetëm 22 mijë lekë pagë minimale ku po të heqësh sigurimet shoqërore e shëndetësore, shifra bëhet e papranueshme. Sot jemi në 30 mijë lekë dhe dua t’ju them të gjithëve atyre që janë përfitues e kësaj page se duhet ta shohin këtë si një proces dhe një stacion në një rrugë që vazhdon. Ambicia jonë është që pagën minimale ta rrisim më tutje. Ky ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm në të gjitha qeveritë, pasi gjyma e këtij mandati ka qenë luftë me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme. Siç po dalim fitimtarë, hap pas hapi nga lufta me fatkeqësinë e tërmetit, me pasojat e tij, ashtu do të dalim dhe nga kjo luftë globale, ku ne kemi pikën tonë në këtë front.”, tha Rama.