Duket se Presidenti Ilir Meta nuk është aspak i shqetësuar për nismën e ndërmarrë për shkarkimin e tij.
Teksa Kuvendi është mbledhur sot për raportin e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e tij, Kreu i Shtetit vijon axhendën pa shqetësime.
Në ambientet e institucionin që ai drejton, Presidenti Meta do të ketë momente festive ku do të presë Ansamblin Folklorik të Dibrës.
“Sot në ora 11:00, në kuadër të nismës “Artistët në Presidencë”, në institucionin e Presidentit të Republikës do të zhvillohet një aktivitet kulturor me Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”. Gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta do të nderojë me Tituj edhe disa nga personalitetet e shquara të këtij Ansambli, si dhe do të mbajë një fjalë rasti”, njofton Presidenca.
Kujtojmë se Parlamenti do të vendosë sot me votë nëse presidenti Ilir Meta do të shkarkohet apo jo nga detyra.
Kuvendi është mbledhur për të votuar raportin e Komisionit hetimor Parlamentar, i cili ka propozuar vendimin ekstrem edhe pse Presidenti Ilir Meta nuk e ka njohur këtë nismë të mazhorancës, madje e ka cilësuar nul dhe antikushtetuese.
Sipas nenit 88 të Kushtetutës, kërkohet që shkarkimi i Presidentit të Republikës të marrë jo me pak 94 vota ose 2/3 e të gjithë deputeteve.